Lajme

Selimi: Kallëzimi penal ndaj meje, metodë e persekutimit politik, të bëjë padi për shpifje ndaj zv.ministrit të Drejtësisë

Selim Selimi

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se ushtrimi i kallëzimit penal ndaj tij është një nga metodat e persekutimit politik nga pushteti aktual, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Selimi bëri të ditur se është në përgatitje të një padie ndaj zv.ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu për “shpifje”.

Lexo edhe:
Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal ndaj Selimit dhe Thaçit

Ai u shpreh se për dëmin material dhe jo-material që i është shkaktuar atij, përmes padisë do të kërkojë kompensim në shumën prej 300 mijë eurosh.

“Jam në përgatitje të një padie civile ndaj zëvendësministrit Blerim Sallahu për shkak se i njëjti ka përdorur shpifje dhe ka përhapur të pavërteta ndaj meje me rastin e ushtrimit të kallëzimit penal kundër meje më 26 prill të këtij viti. Kësisoj, në emër të dëmit material dhe jo-material që më ka shkaktuar, përmes padisë civile do të kërkojë komepnsim në shumën prej 300 mijë eurove.

Konsideroj se ushtrimi i kallëzimit penal ndaj meje është një nga metodat e persekutimit politik që tenton të kryejë pushteti aktual ndaj kundërshtarëve të tij politikë”, shkroi ndër tjerash Selimi.

Sipas tij, qeveria aktuale dhe stafi që udhëheqin Ministrinë e Drejtësisë, “e kuptojnë drejtësinë vetëm nëse është e kapur”, duke thënë se me veprimet e tyre, Qeveria po shkatërron dy institucionet më të rëndësishme të drejtësisë, Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor.

Ndryshe, të dielën, është hedhur poshtë kallëzimi penal ndaj Selimit dhe ish-drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Prokurori, Milot Krasniqi, për Shqip.com deklaroi se kanë hedhur poshtë kallëzimin penal duke bërë të ditur se kjo ka ndodhur pasi që nuk ka elemente të veprës penale.

Zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, më 16 prill të këtij viti, përmes një postimi në Facebook kishte thënë se kanë dorëzuar kallëzim penale ndaj tyre për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Sipas Sallahut, Selimi dhe Thaçi i kishin dhënë “papërgjegjshëm” në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë një personi juridiko-privat pa asnjë bazë ligjore./SHQIP.com