Lajme

Selimi i reagon Sveçlës: Marre prej djemve të policisë sonë

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi

Ish-ministri i Drejtësisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi të shtunën se “epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar”.

Këtë deklaratë Selimi e ka quajtur “ironi” teksa ka thënë se ministrit “duhet t’i vijë turp nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës”.

“Ironia e deklaratës së Sveçlës ‘Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar’ e më poshtë lajmet ‘Tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës’”.

“Nëse jo prej neve atëherë marre prej djemve të Policisë sonë. Më e ndershme të thuhet ‘Zbatojmë marrëveshjen e Brukselit’”, ka shkruar Selimi në Twitter.

Në anën tjetër, ministri Sveçla ka thënë se tashmë Kosova ka “Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion”.

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme

“Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses”, ka thënë ai pas aksionit për zhbllokimin e rrugëve në veri të vendit./SHQIP.com