Lajme

Seanca e Kuvendit nis me kaos, Berisha shpall grevën – opozita u merr karriget deputetëve të PS

Edhe seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me anormalitet. Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpallur grevën brenda sallës së Parlamentit. “Jemi në grevë. Largohuni”, iu drejtua ai deputetëve të mazhorancës.

Deputetët e opozitës, mbështetës të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit mbërritën në Kuvend përpara orarit zyrtar të nisjes së seancës që është ora 10.00.

Opozita është e vendosur të mos lejojë zhvillimin e një seance normale. Deputetët e Rithemelimit, me akuzën se mazhoranca po kërkon të asgjësojë opozitën kanë marrë karriget e deputetëve dhe i kanë vendosur përmbys të gjitha në foltore për ta bllokuar me qëllim që të mos lejohet asnjë deputet të flasë.

Karriget u janë marrë edhe deputetëve të mazhorancës, situatë e cila për pak çoi në përplasje fizike mes ligjvënësit të PS, Xhemal Qefalia me demokratin Edmond Spaho.

Pavarësisht nga momentet e kaosit dhe tensioneve, seanca e Kuvendit vijoi me votimin e projektligjeve. Parlamenti mbylli punimet saktësisht pas 22 minutash.

/Shqip.com