SBASHK-u paralajmëron grevë në tërë sistemin arsimor

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor, përcjell Shqip.com.
Përmes një komunikate, SBASHK-u deklaroi se greva do të bëhet për shkak se Qeveria Kurti po i injoron ata duke iu ikur takimeve.

Tutje, Sindikata thotë se Qeveritë e kaluara, pa marrë parasyshë debateve të nxehta, nuk iu kanë ikur asnjëherë takimeve.
“Mirëpo, kjo që ndodh tani në Qeverinë Kurti është hera e parë në Kosovë, kur Qeveria sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata dhe prandaj edhe nuk i do dhe u ik takimeve me to. Qeveria Kurti duhet ta di se sindikatat ekzistojnë dhe janë ato, si SBASHK-u, që kanë bërë edhe veprime sindikale deri në grevën e përgjithshme për plot tri javë në tërë sistemin arsimor.
Deri tani kemi lutur anëtarësinë për mirëkuptim dhe për përkushtim në rrjedhën e mbarë të sistemit arsimor për shkak të gjendjes nga pandemia, por tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti, duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg vendimet e organeve vendimmarrëse për veprime sindikale , pra edhe për greva në tërë sistemin arsimor”, thuhet ndër tjerash në komunikatë./SHQIP.com