Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale, e ka shpallur fajtor Salih Mustafën. Ai u dënua me 26 vjet burgim me akuzat për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krimet dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluar në aktgjykim ju shpall fajtor, për torturë për krime lufte, ndalim arbitrar për krime lufte, si pjesë e ndërmarrjes kriminale”, deklaroi gjyqtarja në momentin e shpalljes së dënimit.

Gjyqtarja ka deklaruar se dëshmitarët e Prokurorisë, ishin dëshmi të besueshme dhe të mbështetura.
“Gjykimi filloi ka filluar më 15 shtator më 2021. Mbrojta bëri mbrojtjen e saj më 22 mars 2022. Tetë viktima morën pjesë në proces dhe të gjithë ishin nën masa mbrojtëse. Në lidhje me dëshmitarë e prokurorit të specializuar, trupi gjykues vlerësoi se të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve ishin të besueshme dhe të mbështetura”, tha gjyqtarja.
Sipas saj, të ndaluarit në Zllash u mbajtën në kushte të mjerueshme nga BIA (një strukturë ushtarake e UÇK-së).
“Të ndaluarit në Zllash u mbajtën në kushte të mjerueshme. Ata flinin në tokë, pellgje uji, të ndaluarit nuk kishin ushqime të mjaftueshme. Rrinin tri ditë pa ngrënë. Të ndaluarit kur kërkuan ujë ushtarët e BIA-së së UÇK-së urinuan mbi ta. Trupi gjykues konstatoi se të ndaluarve nuk u ishte dhënë ndihma mjekësore.
I kanë keqtrajtuar të ndaluarit psiqikisht dhe fizikisht. Ata rriheshin me shqelma dhe shuplaka. Të ndaluarit i nxirrnin një nga një dhe i dërgonin në ahur dhe i merrnin në pyetje duke i rrahur”, ka thënë tutje ajo.

Para se të fillonte me leximin e aktakuzës kundër Mustafës, gjyqtarja Mappie Veldt ka deklaruar se përgjegjësia në rastin e të akuzuarve është individuale dhe se pohimet që akuzat janë kundër UÇK-së janë të gabuara.

“Së pari, duket se ka konceptime të gabuara se këto akuza u ngritën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të gjithë popullit të Kosovës.
Nuk ka asgjë më larg së vërteti se kjo. Ishte pikërisht populli i Kosovës, që përmes Kuvendit, qe zgjodhi të krijonte dhe t’i jepte kompetenca këtij institucioni. Gjithashtu, përgjegjësia penale para Dhomave të Specializara është vetëm individuale”, deklaroi gjyqtarja.
Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.
/Shqip.com