Sali Berisha përjashtohet përgjithmonë nga PD-ja

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që të përjashtojë përgjithmonë Sali Berishën nga kjo parti, përcjell Shqip.com.
Në mbledhjen e Kryesisë që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së martës, është marrë vendimi për përjashtim edhe të 7 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit si Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja, raporton Euronews Albania.
Kurse, nga partia janë pezulluar Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Belndi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Muçollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baçi, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.
Ndërkaq, këto vendime kanë ardhur pasi që të shtunën, selia e PD-së në Tiranë është sulmuar me forcë nga mbështetës të Berishës, i cili bëri thirrje për protestë për të larguar Lulzim Bashën nga pozita e kryetarit të kësaj partie.
Ata tentuan hapjen me forcë të dyerve të blinduara duke thyer kështu edhe xhamat e ndërtesës.
Kurse, Berisha ka deklaruar se protestat do të vijojnë edhe më pas./SHQIP.com