Lajme

Rusia përdor termocentralin bërthamor Zaporizhzhia si bazë ushtarake

Një ushtar rus qëndron roje jashtë termocentralit bërthamor Zaporizhzhia /Marrë nga BBC

Forcat ruse që pushtuan termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia e kanë kthyer vendin në një bazë ushtarake për të nisur sulmet kundër pozicioneve ukrainase.

Kështu ka njoftuar kreu i kompanisë së energjisë bërthamore të Ukrainës.

Petro Kotin tha se kërcënimi ndaj uzinës ishte “i madh”, por se ai mbeti i sigurt, raporton BBC.

Për ditë të tëra, Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet në centralin bërthamor më të madh në Evropë, duke ngritur shqetësimet për një aksident të madh.

Kompleksi ka qenë nën pushtimin rus që nga fillimi i marsit, megjithëse teknikët ukrainas ende e operojnë atë.

Gjatë fundjavës, Ukraina akuzoi forcat ruse për sulmin duke thënë se dy punëtorë u dërguan në spital me lëndime nga predha dhe se tre sensorë të rrezatimit ishin dëmtuar.

Kotin, i cili drejton Enerhoatom, tha se 500 ushtarë rusë ishin në fabrikë dhe se ata kishin pozicionuar raketahedhës në zonë, pretendime që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

“Forcat ruse e përdorin atë centralin si një mburojë kundër forcave ukrainase, sepse askush nga Ukraina nuk do të bëjë diçka,” tha Kotin.

“Forcat e Armatosura të Ukrainës e dinë se këta janë personel ukrainas dhe kjo është një fabrikë ukrainase dhe ka njerëz ukrainas kështu që ne nuk do të vrasim njerëzit tanë, stafin tonë dhe të dëmtojmë infrastrukturën tonë”.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia është më i madhi në Evropë

Stafi i uzinës, po punonte nën presion dhe në rrezik, dhe disa ishin kapur, rrahur dhe torturuar.

Ai tha se planet e Rusisë ishin të shkëputnin centralin nga rrjeti i Ukrainës dhe përfundimisht ta lidhnin atë me sistemin rus.

Tensionet kanë çuar në thirrje në rritje që inspektorët ndërkombëtarë të lejohen të vizitojnë vendin.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se “çdo sulm në një central bërthamor është një gjë vetëvrasëse, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i përshkroi veprimet e Rusisë si terrorizëm bërthamor”.

“Nuk ka asnjë komb të tillë në botë që mund të ndjehet i sigurt kur një shtet terrorist qëllon në një central bërthamor,” tha Zelensky.

Rusia, megjithatë, i mohoi akuzat dhe fajësoi forcat ukrainase për sulmet. Ministria e Mbrojtjes e vendit tha se një linjë elektrike e tensionit të lartë ishte dëmtuar si rezultat i granatimeve.