Rusia mohon se ka shkaktuar krizë globale ushqimore

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka hedhur poshtë pretendimet se Moska shkaktoi krizën globale të ushqimit.
Në një fjalim para ambasadorëve të Ligës Arabe në Kajro, ai tha se vendet perëndimore po shtrembërojnë të vërtetën rreth ndikimit të sanksioneve në sigurinë globale të ushqimit.
Ai akuzoi vendet perëndimore se po përpiqen të imponojnë dominimin e tyre mbi të tjerët.
Pjesa më e madhe e botës arabe dhe e Afrikës është e prekur keq nga mungesa e grurit të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Lavrov tha se “agresiviteti” i vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë tregon një përfundim të thjeshtë: “Nuk ka të bëjë me Ukrainën, ka të bëjë me të ardhmen e rendit botëror.
“Ata thonë se të gjithë duhet të mbështesin një rend botëror të bazuar në rregulla dhe rregullat janë shkruar në varësi të situatës specifike që Perëndimi dëshiron të zgjidhë në favorin e tij”, tha ai, raporton BBC.

Më herët, Lavrov zhvilloi bisedime me homologun e tij egjiptian, Sameh Shoukry.
Egjipti ka lidhje të rëndësishme me Rusinë, e cila furnizon grurë, armë dhe – deri në fillimin e pushtimit të Ukrainës – një numër të madh turistësh./Shqip.com