Lajme

Rusët blen pasaportat e arta në Evropë tani kërkohet rishikimi i programit

Lufta në Ukrainë ka shpërfaqur pasurinë marramendëse të oligarkëve rusë duke përfshirë jahtet, aeroplanët dhe vilat e shtrenjta të cilat i kanë në çdo cep të botës.

Mirëpo është edhe një aset tjetër i cili nuk është përmendur dhe ato janë pasaportat.

Në dekadën e fundit në Evropë rreth 4 mijë rusë janë pajisur me të ashtuquajturat pasaporta të arta duke investuar rreth 3 miliardë euro duke blerë prona dhe asete të tjera në shtetet evropiane.

Mirëpo pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndikuar që Portugali, Greqia dhe Çekia kanë stopuar dhënien e vizave për rusët kurse Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar programin e vizave për investitorët.  

Bullgaria në shkurt ka propozuar ndalimin e dhënies së pasaportave të arta duke lënë vetëm Maltën si shtet i cili ofron këto pasaporta.

Është dëshmuar se dhënia e pasaportave për njerëzit e pasur është një biznes joshës ngase sipas të dhënave zyrtare të Parlamentit Evropian nga viti 2011 deri në vitin 2019 janë investuar 21 miliardë euro në shtetet të cilat i kanë dhënë këto pasaporta.

Llogaritet se për të siguruar një pasaportë të tillë në Bullgari kërkohen 127 mijë euro kurse në Holandë 1 milionë e 200 mijë euro.

Al Jazeera kishte nxjerr në pah se nga 2 mijë e 500 aplikime në Qipro rreth 2 përqind e aplikuesve ishin të dënuar për krime para se të naturalizoheshin. Qiproja i ka dhënë fund programit të pasaportave në vitin 2020. /Shqip.com