RrGK-ja hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehët mrena mureve” tek hekurudha në Fushë Kosovë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) sot ka hapur ekspozitën e quajtur “Dhuna nuk fshehët mrena mureve”.
Ky aktivitet ka filluar nga ora 10:00 dhe do të vazhdoj deri në orën 16:00 tek hekurudha në Fushë Kosovë.
Siç ka njoftuar RrGK-ja, ky aktivitet ka për qëllim të ngris vetëdijen e qytetarëve të Kosovës në lidhje me dhunën në familje.
“Ekspozita synon që të rrisë ndërgjegjësimin qytetar për format e ndryshme të dhunës në familje dhe t’u sigurojë qytetarëve informacione për sa u përket institucioneve që kanë për obligim luftimin e dhunës në familje, dhe se si të kontaktohen ato”, thuhet në njoftimet e RRGK-së.
Ekspozita “Dhuna nuk fshehët mrena mureve” ka dy vite që organizohet radhazi në Kosovë.
Në fillim kjo ekspozitë është realizuar në Prishtinë, pastaj ka vazhduar të realizohet në qytetet e tjera si në Gjilan, Pejë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Drenas etj.

Në Kosovë nga dhuna në familje janë vrarë dhjetëra vajza dhe gra.
Rrjeti i Grave të Kosovës, shpesh ka reaguar për rastet e vrasjeve që kanë ndodhur nga dhuna në familje
Ndërsa, në një nga reagimet e RrGK thuhet se vrasjet e një pas njëshme tregojnë se institucionet nuk janë duke punuar që të parandalojnë vrasjen e grave.
“Vrasjet e një pas njëshme tregojnë se veprimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë nuk janë duke ndikuar në parandalimin e vrasjeve të grave dhe këto veprime e vendime vetëm sa po i motivojnë edhe më shumë dhunuesit, kurse po demotivojnë gratë dhe vajzat për të kërkuar drejtësi e për të raportuar rastet e dhunës”
RRGK-ja po ashtu së fundi ka lansuar linjën telefonike përmes së cilës ofron ndihmë ligjore për viktimat e dhunës në familje, të cilat konsiderojnë se nuk kanë pranuar trajtim të duhur institucional.
Në Kosovë rastet e dhunës në familje janë të shpeshta. Çdo ditë Policia e Kosovës raporton për dhunë në familje./Shqip.com