Rreth 1 mijë qytetarë kanë kërkuar të ndërrojnë qendrën e votimit

Rreth një mijë qytetarë kanë kërkuar deri tani ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës së tyre.
Kështu bëri të ditur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kreu i Sekretariatit, Burim Ahmetaj.
Ahmetaj njoftoi se deri tani kanë pranuar 933 kërkesa, prej tyre 783 janë paraqitur përmes platformës online nga ueb faqja e KQZ-së dhe 150 të tjera janë paraqitur përmes formularëve në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në komuna të ndryshme.
Periudha për ndërrimin e qendrës së votimit vetëm brenda komunës do të përfundojë më 7 shtator.
Ndërrimi i qendrës së votimit mund të bëhet përmes kësaj platforme që është publikuar në ueb faqen e KQZ-së: https://eomp.kqz-ks.org/, apo duke plotësuar formularin në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën prej nga vjen votuesi.
Gjithashtu, përmes kësaj platforme, votuesit mund ta mësojnë vendvotimin e tyre duke shënuar vetëm numrin e tyre të letërnjoftimit.
Po ashtu, Ahmetaj bëri të ditur se nga data 10 korrik deri më 3 gusht janë pranuar 2101 aplikacione për t’u regjistruar për të votuar jashtë vendit nga të cilat 140 nuk janë aprovuar akoma./SHQIP.com