Kulturë

Romani “Katedralja pa kryq”, i shkrimtarit Gëzim Aliu, përkthehet në italisht

Romani "Katedralja pa kryq", i shkrimtarit Gëzim Aliu
Romani "Katedralja pa kryq", i shkrimtarit Gëzim Aliu

Romani i shkrimtarit të njohur të letrave shqipe, Gëzim Aliu, me titull: “Katedralja pa kryq” (botimi i parë: PA, Prishtinë, 2014), përkthehet në italisht nga Iris Hajdari, dhe është botuar në Itali nga shtëpia botuese “Besa Muci Editore”.

Për përkthimin e këtij romani ka njoftuar vetë shkrimtari Aliu në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

“Në vitin 2014, “Katedralja pa kryq” pa dritën e botimit, një histori e veçantë, jo e dëgjuar më parë, dy protagonistë që flasin, shkëmbejnë korrespondenca, mendime mbi të bukurën. Një sinkroni në mes të artistëve për të përjetësuar vlerat e artit, të mbetura pezull nga ana e piktorit. I pari është prozator i letrave, ndërsa i dyti piktor që përmes ngjyrave në pëlhurën e tij mundohet ta rrezatojë brishtësinë e së bukurës, por kur mendon se vlera e artit po i venitet, përmes prozës mundohet të plotësojë finesat, dashurinë, ankthin, që nuk arrin t’i modifikojë me ngjyrat e tij apo siç e ndeshim një shprehje: “Pikturoje ti mungesën.” (f. 44). Piktura nuk arrin ta paraqesë mungesën a gjëra të kësaj natyre, vërehet një dorëzim i piktorit, që dromit ndërgjegjen në përpjekje për të gjetur ngushëllimin te proza”, thuhet ndër të tjerash në vlerësimin e këtij romani.

Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist; doktor në letërsi dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Deri më tani ka botuar tri romane, një libër me tregime, një libër studimor dhe dy monografi. “Sëmundje dhe Perëndi” është romani i tij i katërt.

Për librat e tij artistikë e shkencorë janë shkruar dhjetëra recensione, kritika, dhe punime. Vepra e tij është vlerësuar lart nga kritikët dhe lexuesit.

Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja kurse librat e tij janë shpërblyer disa herë me çmime letrare kombëtare.

/Shqip.com