Rohde: Frikësimi i pjesëtarëve të Policisë nga radhët e komuniteteve duhet të ndalet

Jorn Rohde, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, ka thënë se frikësimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga radhët e komuniteteve është shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.
Rohde ka thënë se policët e rinj nga komunitetet meritojnë të gjithë mbështetjen, sidomos nga komunat dhe qytetarët ku ata janë të vendosur.
“Plotësisht dakord. Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke të Kosovës meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar Rohde, duke u pajtuar me qëndrimin e shefit të EULEX-it.
Shefi i ri i EULEX-it, Giovani Pietro Barbano, ka shkruar se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.
“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar Barbano.
/Shqip.com