Lajme

Rohde: Dhuna ndaj EULEX-it dhe ofruesve të sigurisë duhet të ndalet

Jorn Rohde - Ambasador i Gjermanisë në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas konfirmimit të sulmit ndaj patrullës së EULEX-it në veri.

Përmes një postimi në Twitter, Rohde tha se dhuna ndaj EULEX-it dhe ofruesve tjerë të sigurisë duhet të ndalët.

“EULEX-i kontribuon në sigurimin e sigurisë për të gjithë shtetasit. Dhuna kundër EULEX dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani”, shkroi Rohde.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.

EULEX flet për Shqip.com, konfirmohet sulmi ndaj tyre në veri – SHQIP.com

EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.

Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.

Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

/Shqip.com