Rikthimi i “vulës” së PD në Apel, reagon Basha: Tjetër hap drejt vendosjes së drejtësisë së vonuar

Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Apelit, që riktheu për rishqyrtim çështjen për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Sipas Bashës, vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është një tjetër hap drejt vendosjes së drejtësisë së vonuar për çështjen e PD.
“Partia Demokratike mbetet e bindur që kjo çështje, peng i procedurave juridike do të gjejë zgjidhjen e duhur dhe ligjore pa vonesat e shkaktuara nga ata qe minojnë drejtësinë dhe të tjerët që i tremben forcimit të opozitës”, thuhet më tej në reagim.
Gjykata e Lartë riktheu sot në Gjykatën e Apelit vulën e Partisë Demokratike. Kolegji Civil për më shumë se 2 orë e 30 minuta shqyrtoi padinë e Rithemelimit ku kundërshtohej vendimi i Apelit që në 3 mars të këtij viti hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë të gjyqtarit Agron Zhukri i cili drejtimin e Partisë Demokratike ia dha Sali Berishës.
Artur Kalaja, Ervin Pule dhe Dariel Sina gjykuan në dhomën e këshillimit me dyer të mbyllura se Apeli ka kryer shkelje procedurale, ndaj lind nevoja për rishqyrtim nga e njëjta Gjykatë, por me një tjetër trupë gjykuese.
Ndërkohë që merrej vendimi se kujt i takonte vula, Berishës apo Bashës, rithemelimi protestonte jashtë Gjykatës së Lartë. Kjo lëvizje për ish kryeministrin ishte një fitore që demokratët mundën frikën përballë organeve të drejtësisë.
“Sot ne duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë. Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë. kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë”-tha Berisha.
30 minutat e fjalimit të vetëm në protestë si rrallëherë Sali Berisha i lexoi në letër, duke u përpjekur të përcillte me kujdes mesazhe të qarta.
Me mbarimin e komunikimit, ish-kryeministri qëndroi disa minuta pushim duke ndjekur lajmet në rrjete sociale. Më pas demokratët nisën marshimin.
Berisha udhëhoqi protestuesit nga gjykata e lartë drejt selisë së PS.
Mosbindja civile, veç bllokimit të qarkullimit rrugor nuk pati tensione. Me në krye, Sali Berishën demokratët mbyllën betejën e të mërkurës në selinë e Rithemelimit.
“Ju garantoj se ky fillim do shtohet në ortek të fuqishëm. Sot fillojmë një kapitull të ri. Ju garantoj se forcë në botë të më ndajë nga ju nuk ka”!, deklaroi ai.
/Shqip.com