Kulturë

“Reuters” shkruan për rinovimin e shtëpisë së Xhafer Devës

Shtëpia e Xhafer Devës (Foto: REUTERS)

Reuters”-  një nga agjencitë më të mëdha të lajmeve në botë, i ka kushtuar një artikull rinovimit të shtëpisë së politikanit Xhafer Deva.

“Reuters” shkruan se rinovimi i shtëpisë së Devës, ministër i një qeverie pro-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka nxitur protesta pasi Gjermania paralajmëroi për “mbulim” të historisë si dhe për pezullimin e projektit nga BE-ja dhe UNDP-ja.

Agjencia më tej shkruan se një dëshmitar i saj ka gjetur tri rrugë me emrin e Devës në Kosovë, duke përfshirë një në Prishtinë  – disa qindra metra larg Ambasadës Gjermane.

“Shtëpia trekatëshe me tulla të kuqe në Mitrovicë, e ndërtuar në vitet 1930 nga arkitektë austriakë, ishte shtëpia e Xhafer Devës, i cili shërbeu si ministër i brendshëm në qeverinë pro-gjermane në 1943 dhe 1944”.

“Në një deklaratë të përbashkët, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimi Evropian kërkuan falje për anashkalimin e sfondit historik të Devës kur shpallën projektin për restaurimin e shtëpisë si një vend të trashëgimisë kulturore”, shkruan “Reuters”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joren Rohde, tha se ishte shumë i shqetësuar për restaurimin.

“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin apo krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, shkroi Rohde në rrjetin social “Tëitter” në fillim të kësaj jave, duke thënë se projekti rrezikonte të zbardhte historinë.

Ndërsa, Hajrulla Çeku, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, mbrojti projektin e restaurimit në një konferencë shtypi një ditë pas vendimit të BE-së dhe UNDP-së për të ndërprerë punimet.

“Ne po e restaurojmë monumentin, por jo historinë e Xhafer Devës”, tha Çeku, duke mos konfirmuar nëse Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë për restaurimin.

Në kohën kur Deva ishte ministër, Kosova konsiderohej nga Gjermania si pjesë e Shqipërisë.

Historianët thonë se njësitë e forcave të sigurisë nën Deva, të cilët i shihnin nazistët si aleatë për të luftuar komunistët, kryen mizori duke përfshirë masakrën e simpatizantëve të dyshuar antifashistë. Megjithatë, disa kërkime të fundit thonë se Deva mund të ketë ndihmuar në mbrojtjen e hebrenjve.

“Ai është një kriminel lufte, ai ka kryer krime kundër kundërshtarëve të tij politikë, por personalisht ai kurrë nuk ka pranuar të dorëzojë listat e hebrenjve të Kosovës pavarësisht këmbënguljes së autoriteteve naziste,” thotë Durim Abdullahu, profesor i historisë në Universitetin e Prishtinës.

Pas luftës, Deva u largua nga Kosova. Ai jetoi në disa vende evropiane përpara se të vendosej në Kaliforni, ku vdiq në vitin 1978.

Në Mitrovicë ai ende festohet. Pak metra larg shtëpisë, një mur në sheshin kryesor është zbukuruar me fotografi të njerëzve të shquar nga qyteti, duke përfshirë Devën dhe kryeministrin në qeverinë e kohës së luftës, Rexhep Mitrovicën.

Ndryshe, shtëpia e Xhafer Devës ishte e ndërtuar në vitin 1930, në qendër të Mitrovicës, dhe përfaqëson arkitekturën Moderniste të Evropës Perëndimore.

Ajo konsiderohet edhe si ndër të vetmet shtëpi të tilla në Kosovë.

Kjo shtëpi, ishte djegur në Mars të vitit 2015, për të cilën dyshohej që ishte zjarrvënie e qëllimshme./SHQIP.com