Lajme

Remi vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, edhe në seancën e të mërkurës  po vazhdon dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit të 13-të me radhë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari Mustafa është duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, konkretisht prokurores speciale Clare Lawson, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e të hënës dhe pritet që të vazhdojë dëshminë edhe ditëve në vijim.

Seanca është duke vazhduar në sesion publik.

Paraprakisht, prokurorja Lawson ka kërkuar të shtohet në listën e provave një dokument që dëshiron ta përdorë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit.

“Është çështje anashkalimi sepse kemi pasur shume materiale, është bërë e ditur nga viti 2021, dokument që dëshmitari e ka identifikuar më herët, është i shkurtë dhe lidhet me çështjet që janë njoftuar dhe nuk cenon palët”, tha ajo kur u pyet pse nuk e kanë shtuar këtë dokument deri më tani.

Lidhur me këtë, trupi gjykues do të marrë një vendim gjatë ditës së sotme.

Ndërkaq, të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë kësaj seance janë të gjithë të akuzuarit.

/Shqip.com