Lajme

Rekomandohet që mësimi fizik mos të fillojë më 13 shtator

Bankat shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kosovar të Shëndetit Publik të Kosovës, viti i ri shkollor fizikisht nuk do të fillojë më 13 shtator, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci tha se pavarësisht të gjitha përgatitjeve për të filluar vitin e ri shkollor, duhet respektuar rekomandimet e MSH-së dhe IKSHPK-së.

“Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në Facebook.

Sipas saj, është rishikuar dhe publikuar “Udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 në kushtet e Pandemisë COVID-19” dhe është dërguar edhe në drejtoritë komunale të arsimit.

“Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19”, ka shkruar Nagavci.

Ndryshe, të mërkurën, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nuk planifikohet që të ndryshohen masat kundër Coronavirusit as pas 13 shtatorit.

Më 31 gusht kanë hyrë në fuqi masat anti-COVID’19, sipas të cilave kufizohet lëvizja e lirë e qytetarëve nga 22:00 deri në 05:00, dhe është shtyrë fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 shtator./Shqip.com