Lajme

Reed takon Kurtin: Mbështetja ndaj Kosovës, ndër veprimet më të çmueshme të ShBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar senatorin amerikan, Jack Reed, njëherësh kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e ShBA-së.

Kryeministri falënderoi Senatorin Reed për mbështetjen e pandërprerë të ShBA-së ndaj Kosovës, teksa ndau me të kujtime dhe përvojën dhe përshtypjet e tij nga vizita që e kishte realizuar në shtetin e Rhode Island, shtet ky të cilin senatori Reed e përfaqëson në Senatin amerikan.

“Në takim në të cilin po shoqërohej nga ministri ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryeministri Kurti vendosi theksin te rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë, dhe bashkëpunimin e afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e misioneve jashtë vendit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç ishte rasti me bashkë-zbarkimin me Gardën Kombëtare të Ioëas në Kuvajt. Me këtë rast, ai e falënderoi atë personalisht, për përfshirjen e Kosovës në Aktin fiskal të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, që ia mundëson Kosovës të jetë pjesëmarrëse në ushtrime ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur ndërveprimin dhe përshtatshmërinë me trupat e NATO-s”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

“Përveç kësaj, ai e njoftoi Senatorin Reed edhe për zhvillimet e fundit, arritjet kryesore të vendit dhe sukseset e qeverisjes, duke ndarë me të të dhënat më të fundit të treguesve ekonomikë dhe demokratikë që dëshmojnë progresin e arritur”, thuhet tutje.

Senatori Reed u shpreh falënderues për mikpritjen. Ai veçoi vendimin dhe vullnetin e Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë, duke shprehur mirënjohjen e tij.

Ndër të tjerash, tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/Shqip.com