Rasti i parë i aksidentit ujor në Shqipëri, i mbijetuari ende në spital dhe me dhimbje

Agustin Sefa, është 31-vjeçari i cili po pushonte në jug të vendit me të fejuarën e tij, i cili i shpëtoi vdekjes pasi u godit nga një skaf buzë bregut të detit.
Siç raporton TCh, Sefa prej datës 16 korrik vijon të marrë trajtimin mjekësor në spitalin ushtarak në Tiranë sepse ka dëmtime të rënda.
Ai është fatlum që i ka mbijetuar aksidentit përgjatë pushimeve, por që në një intervistë ekskluzive për Top Channel tregon tmerrin e përjetuar nga dhimbjet e plagëve të rënda.
“Unë kam qenë në gjendje kome, nuk mbaj mend asgjë , kam gati 10 ditë në gjendje kome edhe tani kam ardhur në vete. Por kam shumë dhimbje e tani do vijë ajo(mjekja) të më bëjë qetësues”, tha Agustini.
Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar operacion pas operacioni, por që sërish për shkak të një pakujdesie jo nga ana e tij, organet e brendshme i ka të dëmtuara duke i pamundësuar ecjen.
Ndërsa, për të dashuren e tij thotë se ajo është më mirë dhe ka dal nga spitali.
“Ajo është pak më mirë , ka dalë nga spitali. Ndërsa unë kam gati 16 ditë jam dëmtuar në bark dhe në këmbë”, tha ai.
Pranë shtratit i qëndron gjatë gjithë kohës e ëma, e cila përveç vështirësive ekonomike po vuan bashkë me dhimbjet e të birit.
“Unë kam qenë në shtëpi, kur e morëm vesh e përjetuam shumë keq”, tha e ëma e Agustinit.
Por pavarësisht se ishte ky rasti i parë i aksidenteve ujore gjatë këtij sezoni veror, nuk rezultoi të ishte i fundit.
Përsëritja e ngjarjes me fund fatal për 7-vjeçaren, ka shqetësuar të riun i cili më mirë se kushdo e ka parë këtë tmerr me sytë e tij.
“Me thënë të drejtën kur kam parë ngjarjen e asaj gocës e kam hequr direkt, nuk e shihja dot. Më erdhi keq shumë”, u shpreh Agustini.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesditës së të martës në plazhin e Potamit ku një fëmijë u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një skaf i cili drejtohej nga shtetasi Arjan Tase.
Ai mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe pas kësaj ngjarjeje, është përjashtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Polici Arjan Tase ka dhënë dëshminë e tij para prokurorisë shqiptare për aksidentin me gomone që la të vdekur një fëmijë në Himarë.
Ai ka sqaruar se gomonia të cilën e ngiste ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend e për pasojë ai ka humbur kontrollin.
Në këtë moment ka goditur vajzën 7-vjeçare e cila ka humbur jetën menjëherë./Shqip.com