Lajme

Raportohet se EULEX ka asistuar në ndërrimin e policëve në Leposaviq

Misioni i EULEX-it, gjatë ditës e ka konfirmuar se pasi kanë pranuar kërkesë zyrtare nga Policia e Kosovës, kanë dërguar patrullat e tyre që të përcjellin njësitet policore gjatë ndërrimit të policëve që kishin mbetur për më shumë se dy javë në Leposaviq.

Ditën e djeshme është raportuar se policët të cilët ishin bllokuar në Leposaviq, si pasojë e vendosjes së barrikadave, janë ndërruar. Por informacionet ishin të pakonfirmuara, e mbi të gjitha nuk dihej se kush ka asistuar që të mundësohet ndërrimi i tyre.

Në përgjigjen e EULEX-it, për mediumin Kossev, konfirmohet se misioni në fjalë ka asistuar në ndërrimin e policëve në Leposaviq.

“Pas kërkesës zyrtare të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i ka përcjellë një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë rotacion dhe kanë zëvendësuar policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq”, thuhet në përgjigjen e tyre për Kossev.

Ndërsa mediat serbe kanë raportuar se KFOR-i dhe EULEX-i dyshohet se kanë sjellë forca speciale me snajper në Leposaviq.

Barrikadat në veri të Kosovës kanë hyrë në javën e tretë. Për 16 ditë rrugët kryesore në veri të Kosovës janë të bllokuara në dhjetëra, pra 11 – sipas pohimeve të djeshme të kryeministrit të Kosovës.

Gjithashtu janë bllokuar edhe vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

/Shqip.com