Lajme

Raporti i OSBE-së për dhunën në familje, gjykime jo adekuate për dhunuesit

Logoja e OSBE-së e vendosur në ndërtesën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate në Vjenë të Austrisë. 23 shkurt 2023.
Logoja e OSBE-së e vendosur në ndërtesën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate në Vjenë të Austrisë. 23 shkurt 2023.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin e monitorimit të gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka thënë se nga monitorimi i seancave që kanë trajtuar rastet e dhunës në familje, kanë ardhur në konkludim se ato përbëjnë shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

“55 gra janë vra nga partnerët e tyre, ngritja në 30% nga 2019. Kemi nevojë emergjente në trajtimin e këtyre çështjeve, shumë çështje të abuzimit të ngacmimit kanë ndodhur në një formë apo tjetër pasi janë raportuar”, ka thënë Davenport.

Sipas tij, raporti analizon 221 raste të cilat kanë ndodhur në intervalin kohor janar-dhjetor të vitit të kaluar. Tutje ai ka thënë se shumicën e rasteve gjykatat kanë shfrytëzuar masat alternative, dënime me kusht apo me gjobë dhe kjo përbën efekt negativ për raportimin e viktimave.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vetëdija e shoqërisë është rritur, pavarësisht se mentaliteti patriarkal ka bërë që dhuna në familje të trajtohet si çështje private.

“Gjetjet e raportit janë një alarm për sistemin e drejtësisë dhe institucioneve të tjera, dënimi mesatar ishte deri në 5 muaj, praktikë e gjykatave është dënimi alternativ me kusht ose me gjobë. Dënimi për këtë vepër sipas kodit penal është deri në tre vite. Me mosveprimin tonë po i shndërrojmë dhunuesit në vrasës”, ka thënë ajo, teksa ka bërë thirrje që dhunuesit mos të ndëshkohen me ‘dënime të buta’.

/Shqip.com