Lajme

Ramadani pasi iu konfirmua aktakuza: Është detyrë të protestosh kundër copëtimit të atdheut

Kandidati i LVV-së për Ferizaj, Valon Ramadani.

“Sa herë që të jetë nevoja, çdo shqiptar duhet të protestojë kundër copëtimit të atdheut tone”.

Kështu ka reaguar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, pasi Gjykata Themelore ia ka konfirmuar aktakuzën.

Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare – duke kundërshtuar Demarkacionin me Malin e Zi.

“Dëshira e dikujt që të ndalet kandidimi im, nuk do të realizohet. Sepse ka ikur koha kur institucionet vepronin kundërligjshëm, dhe sepse komuna e Ferizajt ka nevojë për energji të reja për zhvillim”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Valon Ramadani synon ta drejtojë Ferizajn si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

Përballë do ta ketë kryetarin aktual, Agim Aliu që vjen nga Partia Demokratike e Kosovë, si dhe Sibel Halimi e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LVV në zgjedhjet e 14 shkurtit në Ferizaj doli e para me mbi 50 për qind të votave. /Shqip.com