Rama thyen heshtjen: “Open Ballkan” është rrugë e njohjes nga Serbia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thyer heshtjen pas kritikave për ‘tradhti’ pasi Shqipëria bashkë me Serbinë e Maqedoninë e Veriut morën pjesë në iniciativën e “Open Ballkan”, e cila u refuzua nga Kosova.
Në reagimin e tij, Rama është shprehur se “Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar”, por sipas tij, është edhe një mundësi e re në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.
Reagimin e tij e ka nisur duke komentuar fotografinë me kampionet olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Ka thënë se ka përjetuar kënaqësi të veçantë për vizitën e tyre në Tiranë, ndërsa ka shtuar se kur i është kërkuar të dalë në fotografi ka thënë me ironi se “Po unë jam tradhtar, s’dua t’ju hap telashe!”.
“Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time. Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë shkurt s’po i le pa thënë me këtë rast”, ka shkruar kryeministri shqiptar në Facebook, duke shtuar se “koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës”.
Më tej, Rama ka pohuar se Kosova e ka fituar paqen me ndihmën e ndërkombëtarëve, ndërsa ka shtuar se tash po mundohet t’ia “tregojë babait arat” kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a Bashkimin Evropian.
Sipas tij, Kosova po e kthen dialogun me Serbinë në një monolog. Për këtë ka thënë se po i acaron nervat e aleatëve të saj strategjikë.
“A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)? E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”, ka shtuar kryeministri shqiptar.
Rama ka kujtuar se “sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”.
Sa i përket “Open Ballkan”, Rama ka thënë se ajo është mundësi e madhe në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia dhe se e heq kufirin Kosovë-Shqipëri.
“Së dyti, Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve ‘nuk u han luli’ për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, ka vazhduar ai.
Rama s’ka pasur asnjë fjalë për ndihmën e Kosovës për fikjen e zjarreve në zonën e Kukësit të hënën në mbrëmje./SHQIP.com