Rama: Terminali i ri në Rinas me lexim digjital të pasaportave, pesë herë më pak radhë në hyrje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se terminali i ri në Rinas, ka pesë herë më pak radhë në hyrje.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shpërndarë një video te këtij terminali si dhe ka shkruajtur se ky reduktim i pritjeve është falë teknologjisë digjitale të leximit të pasaportave.
“Mirëmëngjesi dhe me terminalin e ri në Rinas, ku sot ka pesë herë më pak radhë në hyrje, falë teknologjisë digjitale të leximit automatik të pasaportave, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.
Teknologjia e re e hyrjeve elektronike e quajtur “E-gates” është vendosur në funksion në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës.

Siç raporton Noa.al falë kësaj leximi i një pasaporte nuk zgjat më shumë se 30 sekonda, ashtu sikundër e provoi Kryeministri Rama gjatë inaugurimit të investimeve më të fundit në aeroport.
Për këtë kishte jep informacion edhe më herët Edi Rama.
“Të gjithë qytetarët shqiptarë, me pasaportën shqiptare që do vijnë në aeroportin e Rinasit, nuk do kenë një lexim manual të pasaportës me punonjësin e policisë që i shikon në sy, e pastaj sheh pasaportën, prapë i sheh në sy dhe prap shikon pasaportën, por kalon në barrierën digjitale me leximin digjital të pasaportës, një proces që zgjat më pak sesa gjysmë minuti, gjë që do lehtësojë shumë të gjithë fluksin e hyrjeve” – tha Rama.
Kujtojmë, se terminali i ri i Rinasit është hapur që nga data 31 korrik për të gjithë pasagjeret që duan ta përdorin transportin ajror.
Krahas leximit dixhital të pasaportave në terminalin e ri janë rritur edhe kapacitetet përpunuese si dhe janë shtuar tetë porta të reja.
Pjesë e rëndësishme e investimeve në Aeroportin “Nënë Tereza” janë edhe katër vendqëndrimet e reja të avionëve të cilat u inspektuan në terren nga numri 1 dhe 2 i qeverisë.
Terminali i ri i Rinasit është pjesë e një investimi të përgjithshëm prej rreth 38 milionë euro të kryer në 1 vit e gjysmë, me objektivin për ta shndërruar Aeroportin e Rinasit në portën hyrëse për të gjithë rajonin./Shqip.com