Lajme

Rama: Projekti në Badovc ka qenë plotësisht i ligjshëm

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama

Përparim Rama, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se projekti në Badovc ka qenë plotësisht brenda rregullave ligjore.

Gjatë një interviste në “Zgjedhjet në KOHË”, Rama e ka përshkruar gjithë situatën lidhur me këtë projekt.

“Në rregullativ, me planin zhvillimor të komunës, planin urban, ai vend ka qenë i dedikuar për densitet më të lartë, ndërtim 4-5 katë”.

Lexo edhe:
Arrestohet një ish-punëtor i Postës, iu gjetën mbi 2 mijë dërgesa postare që nuk i kishte dorëzuar te palët

“I kam propozuar klientit që të mos ndërtojë aq lartë, dhe se mundemi me krijuar jo metra katror, por vlerë ndërtimi, ku e mbrojmë natyrën. Ke degradim të natyrës në atë zonë, shembje të dheut në liqen”, deklaroi ai.

“Kemi sjellë sistemin Briem, me 4 yje, që është më i sofistikuari në botë sa i përket mbrojtjes së natyrës. I kemi propozuar kryetarit të përdoret ky sistem për çdo zhvillim në atë zonë për mbrojtje të natyrës”.

“ Zhvillimet nuk janë të kundërnatyrshme, mund të jenë ambientale e në ngritje të nivelit të mbrojtjes së ambientit”, tha Rama.

“E gjitha ishte si pasojë e një proteste të publikut, e jo pasojë se ishte e kundërligjshme. Klienti e ka fituar edhe gjyqin, por i kam propozuar ta ndërrojë lokacionin me komunën, t’ia japë një vend tjetër komuna”, pohoi ai.

Gara për Prishtinën:

Më shumë se 64 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje i mori në Prishtinë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Por, tre kundërkandidatë të Vitisë e kanë nisur kampanjën zgjedhore muaj më parë.

Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pasi e fitoi mandatin e deputetit në shkurt, e dorëzoi atë. I hyri garës për kryeqytetin.

Më pastaj, Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, filloi me fushatën e tij “me bujt n’Prishtinë”, gjatë shtatorit njëjtë si Haradinaj – dorëzoi mandatin e deputetit.

Prishtina, Kryeqyteti i Kosovës

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës e solli dikë nga Londra që t’ia rikthejë Prishtinën LDK-së, tetë vite pasi e humbën

Përparim Rama, arkitekt – ka muaj që ka startuar fushatën zgjedhore.

Ndërsa, Arben Vitia më 1 tetor u largua nga detyra e ministrit të Shëndetësisë.

Tash synon që pas 17 tetorit ta drejtojë qendrën kryesore në Kosovë.

Prishtina aktualisht qeveriset nga Shpend Ahmeti i cili më 2013 si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje arriti t’ia thyente bastionin Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Shqip.com