Lajme

Rama nga Gjirokastra: Pensioni minimal 200 euro, maksimali 400. Paga mesatare do të rritet në 1200 euro në 2030

Kryesocialisti Edi Rama tha se objektivi i PS është pensioni minimal 200 euro dhe ai maksimal 400 euro. Ai thumboi edhe opozitën, teksa tha se premtimet e tyre, i çojnë njerëzit drejt humnerës.

“Së pari kemi bërë një hap që përtej indeksimeve që janë ligjore, detyruese dhe bëhen në mënyrë të vazhdueshme siç e ka ligji. Madje e kemi bërë dy herë në vit për shkak të rritjes së çmimeve.

Kemi vendosur që duke qenë se tani jemi në fazë rritje të qëndrueshme të ekonomisë, dhe kemi të ardhura që tejkalojnë parashikimet, kemi vendosur që ta ndajmë për pensionistët një bonus që është bonusi i fundvitit dhe i pranverës, të dy bashkë nga dhjetori në shkurt të këtij viti, kemi ndarë 165 mln euro vetëm për pensionistët.

Nuk janë pak për shtetin shqiptar. Do ta bëjmë këtë bazuar në rritjen ekonomike. Kemi përcaktuar edhe dy piketa të tjera, se në fund të ditës, pavarësisht se nga pikëpamja logjike po bëjmë një skemë që të jetë e qëndrueshme, edhe rritja e kontributeve ka ardhur në mënyrë të qëndrueshme, kemi shtuar 300 mijë kontributorë të tjerë. Sot nuk luhet me sigurimet shoqërore si dikur, që as nuk i kërkonte njeri që të arrijmë që të kemi një pension minimal 200 euro.

Pra, pavarësisht se ke punuar apo jo, minimali të jetë 200 euro dhe për të siguruarit të kemi pension mesatar 400 euro. Këto janë dy objektivat. Kush iu thotë juve të tjera ka dy arsye. 

I kemi rënë kësaj pune nga të katër anët. Kemi marrë ekspertizë nga të katër anët, nga institucionet që nga BB, nga ekspertë të pavarur ndërkombëtar, këshilltarin që kam për ekonominë që ka qenë për 10 vjet drejtues i grupit ekonomik të Merkel e kemi vënë edhe atë të na japë opinionin e tij, Profesor Richardo Houseman, po iu them që kjo që ne kemi përcaktuar si objektiv është ambicioz.

Nuk është i lehtë, por do të bëjmë çmos që ta arrijmë. Të tjerat që iu thonë janë rruga drejt humnerës, ose sepse nuk e kanë problem këtë rrugë, dhe ju e dini kush dhe e njihni mirë, prandaj ia keni vënë kufirin atje larg. S’ka këtu, e ka kufirin me kohë se ju jeni gjirokastritë dhe lapsin e njihni më mirë se të tjerët, s’ka shans të thyhet. Ose pastaj nuk dinë ça flasin.”

Kryesocialisti Edi Rama tha se kur mori detyrën, mësuesit ishin ‘pengje’ të politikës. Ai tha se dikur ishin afro 5 mijë mësues që punonin jashtë profilit të tyre. Ai tha se deri në 2030, synojnë që rrogën mesatare të mësuesve ta çojnë në 1200 euro.

“Problemi i mësuesve ishte problem i autoritetit, i rënë përtokë. Mësuesit ishin katandisur në pengje të politikës, të halabakëve rrotull shkollës dhe të vetë nxënësve që ishin çoroditur dhe nuk kishin siguri për punën e tyre. Sot jepnin te Asim Zeneli, nesër i kishin flakur diku tjetër se do të vinte një mësues që nuk kishte as arsim përkatës. Kur kemi filluar këtë punë, kishte afro 5 mijë mësues pa arsimin përkatës, që kishin biologji dhe jepnin fizikë se kishin një krushk, një parti apo kushedi se ça. Paguanin lekë apo ku di unë.

Pagën mesatare asokohe në sistemin publik e kishin 370 euro, sot e kemi 1 mijë euro. Te mësuesit paga mesatare ka vajtur 950 euro dhe plani ynë është që të jetë 1200 euro. E keni dëgjuar që thonë këta nuk kanë program. Ne kemi jo program, por program e plan qeverisës në çdo sektor se jemi duke negociuar me BE. Si negocion BE me një vend që s’ka program.”, tha Rama.

/Shqip.com