Lajme

Rama: Në Beograd kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Në Beograd kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë”.

Kështu i është përgjigjur në Facebook kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një komentueseje nga Kosova, e cila e kishte kritikuar ashpër për praninë e flamujve serbë në rrugët e Tiranës.

Sipas Ramës, ditën që ka vizituar Beogradin, kryeqyteti ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia.

Kryeministri ka theksuar se, në Beograd ka folur shqip dhe ka mbrojtur interesat e të gjithë shqiptarëve dhe Shqipërisë.

“Atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Rama ka ripërsëritur se “Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar”.

“E vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”.

Gjatë protestës së thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kundër ‘Open Balkan’, ndodhi një incident. Protestuesit dogjën një flamur serb.

Ngjarja nuk mbeti pa u komentuar edhe nga mediat lokale në Serbi. E përditshmja “Kurir” shkroi se “ekstremistë shqiptarë janë mbledhur para kryeministrisë për të protestuar kundër presidentit të Serbisë”./SHQIP.com