Lajme

Rama: Motoparku do të ndërtohet nga kompania e ish-pilotit të famshëm të Formula 1

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama bëri me dije përmes një njoftimi në Facebook se dy ditë më parë rreth 30 kompani të mëdha ndërkombëtare vizituan Shqipërinë për t’u njohur me projektin e Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano.

Ndërkohë, sot 4 kompani projektimi ishin në Tiranë për konkursin kombëtar të shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor për ndërtimin e Auto Motoparkut në Elbasan.

Kryeministri bëri me dije se konkursi u fitua nga kompania e ish-pilotit të famshëm të Formula 1, Alexander Wurz dhe babait të tij Franz Wurz.

Postimi i plotë:

Përpara 48 orësh rreth 30 kompani të mëdha ndërkombëtare erdhën në Shqipëri për t’u njohur me projektin e Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano, një prurje sipërmarrjesh të huaja që deri para ca vitesh as nuk imagjinohej. Sot katër kompani projektimi mes më të mëdhave të botës, për cirkuitet automobilistike ishin në Tiranë për konkursin ndërkombëtar të shpallur nga #DPSHTRR për Auto Motoparkun që do të ndërtojmë në Elbasan. Të katërta me projekte vizionare dhe prezantime mbresëlënëse nga vetë drejtuesit e kompanive, të cilat ishin përgatitur shumë seriozisht edhe pse praktika e zgjedhur ishte më e pazakonshmja, pa asnjë pagesë paraprake. Në 48 orë këto janë dy prova shembullore të imazhit të ri të Shqipërisë, interesimit në rritje për vendin tonë si një destinacion interesant, jo vetëm për turizëm po edhe për biznes, si dhe rritjes së besueshmërisë tek Shqipëria që ka çelur negociatat me BE, e që sot ka një reputacion ndërkombëtar krejt tjetër nga ai i deri disa viteve më parë.
Konkursin e sotëm e fitoi kompania e ish-pilotit të famshëm austriak të Formula 1 Alexander Wurz dhe babait të tij Franz Wurz, një personalitet i mirënjohur për nismat e tij në fushën e sigurisë rrugore.

/Shqip.com