Rama: Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së për liberalizim të vizave

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.
Këtë e ka deklaruar në një editorial për politico.eu, ku ndër të tjera ka folur për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sipas tij, kjo e fundit duhet të pranojë se “po turpërohet me mbrojtësit e saj më të vendosur, ndërkohë që përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit bllokohet nga vetëm një veto e çuditshme kolaterale si ajo e Bullgarisë”.
“E njëjta pasiguri vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, që ka shkuar aq larg sa ka ndryshuar edhe emrin, dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët tani janë më pak të lirë të udhëtojnë se më parë, edhe pse i kanë përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së”, ka shkruar Rama.
Më tej, është shprehur se “besoj se shqiptarët janë ndër komunitetet më pro BE-së në Evropë”.
“Kur komunizmi u shemb dhe ne ishim të lirë të zgjidhnim rrugën tonë, ne zgjodhëm Brukselin. Që atëherë, ne kemi bërë gjithçka që na kërkohet në aplikimin tonë për anëtarësim”, ka thënë kryeministri shqiptar.
Është shprehur se BE -ja mund të jetë “e paaftë” për të përmbushur premtimet e saj, por sipas tij, Shqipëria është akoma e përkushtuar ndaj idealeve evropiane.
“Dhe ne me shumë mundësi do t’i qëndrojmë besnike parimeve të saj themeluese, edhe pasi anëtarët e saj i kanë lënë ato prapa”./SHQIP.com