Rama: Kosova është e pavarur dhe Serbia po dorëzohet përballë realitetit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se çështja e Asociacionit është maksimumi që Kosova mund të bëjë dhe se Serbia ka ndryshuar në raport me Kosovën.
Ai ka thënë se Kosova është e pavarur dhe se Serbia është duke u pajtuar me këtë realitet.
“Sot Kosova është e pavarur dhe Serbia që po dorëzohet përballë një realiteti që nuk e ndryshon dot. Pavarësisht që këmbëngul që të mos ndodhë, edhe vet Serbia, gjë që unë e kam dëgjuar edhe nga goja e Presidentit të Serbisë, në një konferencë shtypi që dha mbas asaj dite të gjatë të marrëveshjes, do të ndodhë, edhe unë nëse s’e firmos, keni parasysh që kjo do të ndodhë! Pra, sigurisht që Asociacioni është një çelës shumë i rëndësishëm për ta kyçur marrëveshjen”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar është ndalur edhe tek figura e Albin Kurtit, duke e komentuar ndryshimin e tij, prej të qenurit opozitë.
“Është kalimi i dhimbshëm nga poezia e opozitës, tek proza e qeverisjes. Nuk është kalim i thjeshtë dhe sidomos kur poezia është shumë e zjarrtë, edhe kalimi është më i vështirë, por është diçka që iu ndodhë të gjithëve”, ka theksuar Rama për portalin kdp.mk
Tutje, Rama ka thënë se Ballkani është rajoni ku Rusia ka ndikimin e saj më të madh në kontinentin e Evropës. Sipas tij, ka pasur tentativa për të shkaktuar trazira në Shqipëri, megjithëse ndikimi i Rusisë është i vogël.
Kurse, informacionet për përdorimin e grupeve paraushtarake ruse në veri të Kosovës, ai i sheh si tentativat për grusht shteti në Mal të Zi në 2016 dhe në Maqedoninë e Veriut në 2017 si një rrezik ndaj të cilit rajoni duhet të jetë më vigjilent.
/Shqip.com