Rama i “dorëzon” Qeverinë inteligjencës artificiale: Prokurime digjitale dhe rishikim të VKM-ve!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar më shumë se njëherë se do të revolucionarizojë shërbimet shtetërore. Për kreun e qeverisë, primar për funksionim efikas të institucioneve mbetet digjitalizimi. Në këtë mënyrë, beson Rama, eliminohet korrupsioni kapilar.
Disa muaj më parë, kryeministri pati deklaruar se tenderat dhe prokurimet publike do të kalojnë në procedura online, duke larguar komisionet me ekspertë dhe përfaqësues të ndryshëm.
Sot, Rama u shpreh se inteligjenca artificiale do të ketë në dorë edhe qeverinë, duke parashikuar një rishikim të të gjitha vendimeve të qeverisë.
Kreu i qeverisë tha se do të pastrohen vendimet të cilat më shumë krijojnë probleme sesa i zgjidhin ato.
“Me ndihmën e Inteligjencës artificiale do shohim VKM-të. Kemi parë rezultate nga testet e para dhe gjatë këtij sezoni, deri në qershor do t’i pastrojmë shumë VKM që janë aty më shumë për të krijuar kontradita dhe probleme, sesa për të zgjidhur probleme. Janë gjëra që duhen parë konkretisht, ju bëjani me dije zyrës së ministres dhe ne do ju ftojmë për të pasur një hapësirë të lirë, ku do të ketë njerëz që do të marrin të gjitha kërkesat, ankesat, sugjerimet tuaja“, tha Rama gjatë një takimi me sipërmarrës
Revolucion te tenderat dhe prokurimet publike
Edi Rama paralajmëroi sot reformimin e procedurave administrative të biznesit, falë një projekti të ndërmarrë nga ekzekutivi. Sipas kryeministrit, reduktimi i hallkave burokratike sjell përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit në vend. Ditën këtë të martë, Rama e nisi me një takim me sipërmarrës dhe përfaqësues të biznesit ku i njohu ata me nismën e re të qeverisë.
Synimi është digjitalizimi i procedurave të prokurimeve publike. Pra, tenderat nuk do të zhvillohen më me komisione në përbërje të të cilëve ka ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe kompanive apo biznesit, por i gjithë procesi do të zhvillohet nga inteligjenca artificiale. Rama tha se një gjë e tillë synohet të realizohet brenda këtij mandati qeveritar.
“Ka ardhur koha që të rifokusohemi, të bëjmë një analizë të detajuar nga ajo që kemi nisur nga institucionet mbi të gjitha procedurat. Kemi nisur ta bëjmë duke e parë me sy kritik çdo procedurë për të kuptuar se çfarë mund të lehtësohet nga pikëpamja e asaj që është e shkruar. Besoj se është një proces që ka vend për përmirësim. Sot në këtë fazë, duke pasur parasysh se tani janë bërë disa vite që është e ecur përpara mbi bazën e një lehtësimi të bërë më parë, është koha për të riparë të gjithë proceset dhe për të bërë një lehtësim tjetër. Po bëjmë punën tonë nga brenda institucioneve, por në fund të ditës kjo është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri. Ju jeni objekti dhe subjekti i kësaj pune, ndaj kontributi juaj është i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm. Ne jemi besimplotë që brenda këtij mandati do të kemi një sistem të revolucionarizuar të Prokurimeve Publike me shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe shumë më pak komponent njerëzor, në mënyrë që prokurimet të jenë sa më transparente dhe të drejta në të gjitha nivelet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se projekti për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin e prokurimeve publike po punohet, por nuk dha afate se kur do të jetë gati. “Kemi një projekt shumë ambicioz që do të kërkojë kohën e vetë për Prokurimet Publike”, konkludoi Rama.
/Shqip.com