Kulturë

Ragip Ramaj / Mos ma thuaj

Ragip Ramaj - poet dhe autor/publicist
Ragip Ramaj - poet dhe autor/publicist

Edhe mund të thuash se Evropa prapë ka nisë të kundërmojë

dhe po qelben pelenat e etërve të saj

në plagnajën e dhembjes sonë prapë po digjet kazani i bërllokut

shumë ka marrë flakë

mbi qiellin e kësaj copë lirie shkon tym i zi

një korb i zi po pi ujë

në gropat e syve tanë

Dhelpra Plakë ka zbrit nga malet e egërsisë së vet

Rojet e Urës po e ruajnë Ibrin

që qengji t`mos e turbullojë ujin atje poshtë fatit tonë

Kosova – një Flamur i rrahur

nga stuhitë e veriut

thuaj… çka t`duash thuaj

thuaj kjo botë sot mund të shembet nga një termet

në horizontet e Trepçës thuaj mund të ndodhë një shpërthim gjigand

por kurrë, ama kurrë mos ma thuaj

se shpirti amerikan mund të shitet në Beograd

e t`ma vrasë kangën Mbahu Nëno mos ki frikë

***

Ragip Ramaj është poet dhe autor/publicist. Ragip Ramaj u lind në vitin 1953 në fshatin Klinë e Poshtme të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse pak para se të përfundonte shkollën e mesme në Skenderaj e largojnë nga bankat e gjimnazit për bindjet e veprimtaritë e tij, me që ishte arrestuar disa herë nga policia.

I detyruar të lëshojnë Drenicën, u vendos në Prishtinë, ku kreu studimet për letërsi. Ka punuar gazetar në Programin për fëmijë të TVP-së. Pas demonstratave të vitit 1981,e përfshinë vala e spastrimeve në TVP dhe për disa vjet i ndalohet puna e gazetarit në Televizionin e Prishtinës.

Me shkrime ka filluar të merret si nxënës, duke bashkëpunuar me të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe që botoheshin në Prishtinë e Shkup.

Ragip Rama është fitues i disa konkurseve letrare.

/Shqip.com