Rafuna për ikjen e fuqisë punetore: Bizneset po marrin nga afrika, por nuk ofrojnë siguri

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka shprehur shqetësimin për ikjen e fuqisë punëtore nga Kosova.
Ai ka thënë se kjo paraqet një problem për bizneset kosovare, derisa është shprehur skeptik se ky trend mund të ndalet.
I pari i OEK-ut ka bërë thirrje që shteti të marrë masa në këtë drejtim, me ç’rast ka kërkuar të subvencionohen bizneset individuale e ato familjare.
Ai ka njoftuar se disa prej bizneseve kanë filluar të marrin punëtorë nga shtetet afrikane, por që nuk ofrojnë siguri, për shkak se Kosovën e konsiderojnë si vend transit për shtetet perëndimore.
“Jemi duke e trajtuar me shumë kujdes për arsye se nuk kemi ikje të fuqisë punëtore vetëm të kualifikuar, por po kemi ikje të fuqisë punëtore të pakualifikuar. Kjo gjendje i ka shtyrë pak me u riorganizuar. Në kuptimin e riorganizimit të brendshëm ose me ble pajisje të reja, por edhe me marrjen e punëtorëve nga jashtë, por edhe me organizimin e logjistikës në mënyrë të ndryshëm, pasi jo vetëm Kosova po përballet me këtë por krejt vendet e rajonit”, thotë Rafuna në një intervistë për EO, teksa ka përmendur disa mundësi që institucionet mund ta parandalojnë këtë dukuri.
Krahas kësaj, Rafuna ka kërkuar edhe reformim të sistemit shëndetësor e të sundimit të ligjit.
/Shqip.com