Ekonomi

Rafuna: Afaristët kosovarë kërkojnë heqjen e pengesave gjatë eksportit në Serbi

Lulzim Rafuna, Kryetari i OEK
Lulzim Rafuna, Kryetari i OEK

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se Oda Ekonomike e Serbisë duhet të bëjë presion te Qeveria serbe që të largojë pengesat administrative me të cilat përballen afaristët kosovarë gjatë eksportit të mallrave në Serbi.

Këto komente Rafuna i bëri në Shkup, ku po merr pjesë në takimin e Forumit Investues të Dhomave të Ballkanit Perëndimor. Ky takim ka për temë “bashkëpunimin mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor”.

“Ideja është që Oda Ekonomike e Serbisë të bëjë presion te Qeveria serbe që t’i eliminojë barrierat që i kanë afaristët kosovarë. Në të kundërtën, ata [gjatë transportit të mallrave në Kosovë] do ballafaqohen me pengesat që i kemi ne”, tha ai.

Që nga shpallja e pavarësisë se Kosovës në vitin 2008, afaristët kosovarë janë ballafaquar me barriera të ndryshme në aspektin e shkëmbimit të mallrave me Serbinë, pasi Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën dhe rrjedhimisht as dokumentet që lëshohen nga institucionet e saj.

Një nga pengesat me të cilat përballen prodhuesit në Kosovë është mosnjohja e certifikatës së origjinës së produkteve ku shkruan “Made in Kosova”.

Me këtë mbishkrim, prodhuesit e Kosovës nuk kanë mundësi të kalojnë as transit nëpër territorin e Serbisë.

Kurse tregu i Kosovës, tha Rafuna, është i mbushur me produkte nga shteti i Serbisë.

Ndryshe, gjatë vitit 2022, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Kosova ka importuar produkte nga Serbia në vlerë prej 371.6 milionë eurosh, ndërsa ka eksportuar në Serbi 60.7 milionë euro produkte, raporton REL.

/Shqip.com