QKUK në krizë për anesteziologë dhe infermierë

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dyfishë më pak anesteziologë sa do të duhej të kishte.
Siç ka raportuar REL, QKUK-ja do të duhej të kishte 120 anesteziologë ndërsa tani ka vetëm 48 të tillë dhe si arsyeje e kësaj gjendje është largimi i tyre nga ky institucion.
Myziene Kryeziu, anesteziologe, është prej atyre që kanë marrë një vendim të tillë këtë vit. Pas më shumë se 15 vjetësh punë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Kryeziu është larguar këtë muaj, për të nisur punë në një klinikë private në Prishtinë.
“Nuk kam ikur për shkak të rrogës. Aq jam lodhur e dërmuar, saqë nuk mundem më… Llogarite të kujdestarosh çdo të tretën ditë, 24 orë në punë. Në kushte normale, një anesteziolog do të kujdestaronte, mesatarisht, një herë në tetë ditë”, tha Kryeziu për REL.
Kryeziu e përshkruan gjendjen në QKUK si “krizë”.
“Normalisht që është krizë kur për 700 operacione [në muaj] punojnë 48 anesteziologë. Jemi ankuar dhe kemi diskutuar në çdo mbledhje, por askush nuk është marrë me ne… Shteti nuk është lodhur me ne për asgjë, për asnjë stimulim”, thotë Kryeziu.
Paga bruto, apo e pataksuar, e një mjeku në Kosovë është 630 euro.
Dhjetë anesteziologë kanë ikur nga QKUK-ja këtë vit
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova.
Pleurat Sejdiu, kryetar i kësaj ode, thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri më tash këtë vit, nga QKUK-ja dhe spitalet rajonale publike kanë dalë mbi 60 mjekë.
Sipas Sejdiut, në nëntë muajt e parë të këtij viti, nga QKUK-ja janë larguar 10 anesteziologë të cilët kanë qenë të pakënaqur me kushtet e punës dhe pagat.
Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë në QKUK, Gazmend Spahija, ka thënë se mungesa e anesteziologëve e ka vështirësuar tej mase koordinimin me sallat e operacioneve.
“Jemi duke punuar me rastet urgjente, në mënyrë që pacientët të mos vuajnë… Këtë situatë e kemi lajmëruar shumë herët edhe në Ministri [të Shëndetësisë], edhe në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, por, fatkeqësisht, nuk ka anesteziologë që presin dhe që janë pa punë”, thotë Spahija për Radion Evropa e Lirë.
Spahija thotë se edhe anesteziologë të tjerë mund të largohen së shpejti.
“Cilido që merr ofertë, mund të joshet. Ata po shkojnë për disa arsye, këtu kemi pagën e ulët dhe kujdestari të shpeshta”.
Një mjeku i duhen pesë vjet për t’u specializuar në anesteziologji.
Vitin e ardhshëm, vetëm një do të jetë i gatshëm për të nisur punën, ndërsa të tjerët janë në vitin e dytë të specializimit.
Në një deklaratë të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se “anesteziologjia do të jetë lëmi me prioritet në ndarjen e specializimeve të reja që janë duke u përgatitur”.
Kosova me mbi 500 infermierë më pak
Përveç mungesës së këtyre mjekëve specialistë, situatën në QKUK është duke e rënduar edhe numri në rënie i infermierëve.
Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se vetëm gjatë këtij viti, më shumë se 500 infermierë, nga sektori publik dhe ai privat, kanë kërkuar dokumente nga kjo odë për t’u larguar nga Kosova.
“Kushtet e punës, paga jo e dinjitetshme bëjnë që edhe ata që kanë punuar nga 20 e 30 vjet, të largohen”, thotë Rrustemaj.
Sipas tij, QKUK-ja funksionon me rreth 2.400 infermierë, ndërsa do të duhej të kishte mbi 3.000.
Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj.
“Paga që marrim, është shaka”, thotë Muhameti, një infermier 25 vjeç, që ka lënë punën në QKUK dhe po përgatitet për t’u transferuar në Gjermani.
Paga e infermierit në Gjermani është rreth 2.400 euro në muaj, ndërsa e mjekut rreth 4.000. Gjermania është bërë destinacion për shumë mjekë dhe infermierë nga Kosova.
Këtë opsion thotë se është duke e menduar edhe Enlirat Duraku, infermier në QKUK dhe nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë.
“Që nga muaji mars kam nisur me planifikime, por jam duke e zvarritur këtë punë, sepse po mbaj shpresë se do të ndryshojnë gjërat”, thotë Duraku.
Një projektligj i ri për pagat, që parasheh rritje për punonjësit e sektorit publik, aktualisht është në procedurat e konsultimeve publike, që do të zgjasin deri më 6 tetor.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ky projektligj do të dalë në miratim së shpejti. Në rast se kalon, ai do të hyjë në fuqi tetë muaj pas miratimit.
Këtë muaj, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka formuar edhe Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, i cili do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Është thënë se përgjegjësitë e këtij komisioni do të përfshijnë zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë./Shqip.com