Qeveria miraton disa projektligje në shëndetësi, ndër to edhe Ligji për Sigurimin Shëndetësor

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar një varg projektligjesh që ndërlidhen me fushën e Shëndetësisë, derisa ka ndryshuar Programin Legjislativ për vitin 2021.
Duke filluar nga ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor dhe Shëndetësinë publike, për të cilat ministri Arben Vitia, tha se janë të nevojshme.
Më pas është miratuar edhe Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri.
Ekzekutivi votoi edhe pro miratimit të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kontrollin e Duhanit.
Në këtë mbledhje të kabinetit qeveritar, Kurti ka thënë se vendi është furnizuar me vaksina të mjaftueshme, derisa ka bërë thirrje që të gjithë të caktojnë terminet për vaksinim.
“Me datën 8 gusht kishim asnjë të vdekur në Kosovë, mirëpo këto tri javët e fundit janë javët më të rënda për popullin e Kosovës dhe më të vështirat për institucionet tona. Falënderoj të gjithë zyrtarët policorë të cilët po kujdesen për zbatimin e masave. Ju bëj thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar që të caktojnë termine sepse vaksina kemi mjaftueshëm”, ka thënë ai me të nisur mbledhja. /Shqip.com