Lajme

Qeveria miraton Buxhetin për 2022, 100 milionë euro ndahen për Ushtrinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për viti 2022 në vlerë prej dy miliardë e 748 milionë euro – 220 milionë euro më shumë apo 8.7 për qind, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

Nga ky buxhet, siç thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Me këtë ndarje synohet që brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për Ushtrinë deri në dy për qind të Bruto Produktit Vendor, siç kërkon standardi i NATO-s.

“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor andaj për herë të parë kemi ndarë mbi 100 milionë euro apo 1.3 për qind të Bruto Produktit Vendor e synimi ynë është që brenda mandatit ta sjellim në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s”, tha ai.

Në fjalën hyrëse të tij gjatë mbledhjes së sotme të ekzekutivit, Kurti tha se “këso buxheti s’ka pasur kurrë Kosova”.

Ai ka thënë se me këto mjete do të niset ndërtimi i 50 çerdheve në gjithë vendin, 45 milionë euro do të ndahen për të mbështetur lehonat dhe shtesat për fëmijë, s’do të ketë pensione nën 100 euro e do të ndahen 50 milionë euro për borxhet nga shpronësimet, e 40 milionë euro për Trepçën dhe Telekomin.

Kemi shtuar edhe 24 milionë euro shtesë për sigurimin e barnave esenciale”, tha më tej ai, duke përmendur se e këtë buxhet do të nisin edhe rrugën Prizren-Tetovë që do të bashkojë dy qytetet që i ndanë mali i përbashkët i Sharrit. /Shqip.com