Lajme

Qeveria kërkon që kalendarit të festave t’i shtohen edhe dy data

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka propozuar që 24 qershori dhe 26 korriku t’i shtohen kalendarit të festave zyrtare.

Dita e Egjiptianëve të festohet më 24 qershor dhe Dita e Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës më 26 korrik.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Këto dy propozime të Qeverisë do t’i shkojnë Kuvendit për t’u votuar si plotësim-ndryshim i Ligjit për festat zyrtare.

Në mbledhjen e 24-të janë marrë edhe disa vendime të tjera.

Është emëruar Komisioni Shtetëror për Rini.  

Është miratuar Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021 – 2026.

Është arritur marrëveshje për financim shtesë në vlerë 15 milionë euro për prokurim dhe distribuim të sigurt të vaksinave kundër virusit COVID-19 dhe për mbështetje financiare për skemën e asistencës sociale.

Nëpërmjet Pakos së Ringjalles Ekonomike, Qeveria ka ndarë 17 milionë euro mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, 3 milionë euro për subvencionim të tarifave të garancisë së Fondit për Garanci Kreditore, 5 milionë euro për fuqizimin e artistëve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, 5 milionë euro për mbulimin e kostos së polices kufitare për të gjithë bashkatdhetarët, si dhe 247.000 euro për blerje të veprave të artistëve të Kosovës.

Lexo edhe:
“S’mund t’i mbështesë KPK-në dhe KGJK-në kur ata mbyllin sytë para skandaleve të audio-incizimeve”

Është emëruar Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të ish të Dënuarve dhe ish të Përndjekurve Politikë, për vlerësimin nga shteti të kontributit të kësaj kategorie.

Po ashtu është plotësuar Bordi i ShSKUK-së.

Është miratuar Plani i Veprimit ERA II.

Me miratimin e nismës së Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA) në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Polonisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës i mundësohet të jetë pjesë e aktiviteteve ushtarake krah për krah me vendet partnere./SHQIP.com