Qeveria: Grevat e punëtorëve shëndetësorë në gjendje emergjente, joligjore

Zyra Ligjore e Kryeministrit ka deklaruar se mbajtja e grevës së punëtorëve shëndetësorë në gjendje emergjente, siç është pandemia COVID-19, nuk është e ligjshme.
Kështu është thënë nga kjo zyrë në një përgjigje dërguar kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra.
Sipas kësaj zyre, Ligji për Greva në nenin 15 rregullon pamundësinë e mbajtjes së grevave gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme brenda kuptimit të Nenit 15.
“Megjithëse paragrafi 2 i nenit 15 nuk e liston ‘pandeminë’ në kuadër të gjendjeve të jashtëzakonshme, marrë parasysh shtrirjen globale të pandemisë në krahasim me atë të kufizuar të epidemisë, konsiderohet se Neni 15 aplikohet për aq sa zgjat emergjenca në shëndetin publik e shpallur me vendimin e Qeverisë Nr.1/11 të datës 15.03.2021”, thuhet në këtë përgjigje të Zyrës Ligjore.

Ndërsa, Kodra tha se viktimizimi i pacientëve me veprime jo ligjore është i pa pranueshëm dhe se me këtë çështje do të duhej të merreshin institucionet e drejtësisë.
Andaj, sipas tij, është legjitime kërkesa për rritje pagash, por nuk duhet përdorur pacientët si armë në luftën për rritjen e mirëqenies.
“Kërkoni paga e mos u ndalni asnjëherë, por pacientët nuk ua kanë me borxh dhimbjen që ju të rrisni mirëqenien. Ata mos i përdorni si armë në luftën që ju e bëni për rritjen e mirëqenies”, ka shkruar Kodra në profilin e tij në Facebook./SHQIP.com