Lajme

Qeveria godet Prokurorinë dhe Brukselin për Banjskën: E kanë raportin, shqetësuese që s’ka aktakuzë e as masa ndaj Serbisë

Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE
Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE

Pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se Kosova nuk i ka dorëzuar raport të hetimeve për sulmin në Banjskë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se një raport 48-faqesh për Banjskën ia kanë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare vitin e kaluar.

Kryeziu tha se Stano duhet ta ketë këtë informacion por shtoi se nëse ai e ka fjalën ëpr raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit “atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion”.

Lexo edhe:
Stano: Kosova s’ka sjellë raport për hetimet nga sulmi në Banjskë

Ai shtoi se është shqetësuese dhe e pakuptimtë që pas 9 muajve nuk ka aktakuzë për Millan Radojiçiqin dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë.

Zëdhënësi i Qeverisë deklaroi se Radojiçiqi vazhdon të mbetet i lirë dhe se është rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë. Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion. Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, tha Kryeziu në një përgjigje për Express.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se për “të proceduar” me veprime për sulmin terrorist në Banjskë duhet të finalizohet raporti i hetimeve nga autoritetet e Kosovës.

“Hetimi duhet të përfundohet nga autoritetet e Kosovës. Kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës janë në krye të hetimit dhe të sigurojnë ose të ndajnë gjetjet e plota të hetimit dhe kjo s’ka ndodhur ende, prandaj nuk mund të procedojmë pa e pasë rezultatin e hetimeve”.

Stano tha se menjëherë pas sulmit e kanë bërë të qartë atë se çfarë BE-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia kur është në pyetje për “pjesëmarrjen e mundshme apo mbështetjen nga ana e Serbisë për këtë sulm të tmerrshëm”.

“Kjo është ose duhet të jetë subjekt i investimeve dhe të gjeturat, shpresojmë, të kenë në raportin final të hetimeve, që ende nuk është përfunduar akoma ose nuk është ndarë me ne së paku”.

/Shqip.com