Lajme

Qëndron Kastrati zyrtarizon kandidaturën për kryetar të Kamenicës

Nënkryetar i PSD-së, Qëndron Kastrati

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për të udhëhequr edhe për një mandate me këtë komunë.

Në një postim në Facebook, teksa ka dhënë njoftimin për rikandidimin e tij, ka folur edhe për kandidatët që lista e tij do t’i ketë në këto zgjedhje.

Ka thënë se “e gjithë lista përfaqëson program e gjeografi”.

“Mbi të gjitha përfaqëson synimin për barazi. 29 emra, secili më i vlefshëm se tjetri. Të radhitur me short sepse jemi bashkë në këtë projekt”, ka shkruar Kastrati që është pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD).

Sipas tij, lista me të cilën Kastrati synon ta drejtojë Kamenicën edhe në katër vitet e ardhme “është brilante”.

“Gjithësecili kandidat përfaqëson integritet personal e profesional, ndershmëri e zell për punë. Është listë gjithëpërfshirëse me kandidatë nga zona të ndryshme të komunës e nga kategori të ndryshme shoqërore”.

“Të gjithë të përkushtuar për punë, të gjithë të dëshmuar në punë e në shoqëri. Radha e kandidatëve është përcaktuar me short, sepse janë projektet të cilat do t’i prezantojmë që kanë radhitje sipas rëndësisë e që të gjithë ne do të angazhohemi barabartësisht për të ardhmen e fëmijëve, të rinjve, për bujkun, pacientin, ndërmarrësin e mjeshtrin. Për të sjellë Kamenicën në një fazë të re të zhvillimit. Për projekte ambicioze”.

Në fund, Kastati ka bërë të ditur se në ditët në vazhdim do të prezantojnë listën “që e bindë secilin, listën që do të fitojë bindshëm!”.

Në garë për kryetar të Kamenicës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, përveç Kastratit janë edhe Ardian Selishta nga Lëvizja Vetëvendosje, nga Partia Demokratike e Kosovës është Muhamed Kallaba dhe Jeton Biqkaj, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës./SHQIP.com