Qemajl Aliu betohet si kryetar i Shtimes: Sot fillon jetësimi i një shprese të re

Qemajl Aliu ka pranuar zyrtarisht postin e kryetarit të Komunës së Shtimes.
Në ceremoninë inauguruese të kuvendit të kësaj komune, Aliu u zotua se do të punojë me nder për të sjellë ndryshime në Shtime.
“Nga sot fillon jetësimi i një shprese të re për të gjithë qytetarët pa dallim të bindjeve të tyre politike. Do t’i kryej me nder të gjitha detyrat e mia. Është vullneti juaj që sot ndodhem para jush, me dëshirën dhe vullnetin për të sjellë ndryshim në qytetin tonë të dashur”, tha Aliu, përcjell Shqip.com.

Më tej, ai tha se detyra e tij si kryetar “nuk është vetëm shërbim dhe privilegj, por sfidë kreative dhe veprim novator për të gjitha zotimet e premtuara në fushatë”.
Qemajl Aliu ishte kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje i cili fitoi garën me 6 mijë e 920 ose 50,71 përqind të votave.
Kundërkandidat e kishte Naim Ismajlin e Partisë Demokratike të Kosovës që mori 49.29 përqind ose 6 mijë e 726 vota në zgjedhjet lokale./Shqip.com