Qehaja: Programet e studimit në UP nuk përkojnë me kërkesat e tregut

Për vitin e ri akademik, në Universitetin e Prishtinës kanë konkurruar mbi 6 mijë kandidatë, ndërsa në afatin e parë janë pranuar rreth 4 mijë studentë të rregullt, në 14 fakultete. Ndërkohë, programet më të kërkuara, sivjet ishin Mjekësi e Përgjithshme dhe Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike. Në disa programe ka rënë dukshëm interesimi i të rinjve.
Pas përfundimit të procesit të konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, fakultetet kanë nxjerrë rezultatet, ndërsa pas periudhës së ankesave, pritet që rezultatet përfundimtare të shpallen më 28 korrik. Rektorati i Universitetit, në një përgjigje për Radio Kosovën, përmes adresës elektronike, ka bërë të ditur se programet më të kërkuara ishin: programi Mjekësi e Përgjithshme, Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, Juridik, Stomatologji, Psikologji, Infermieri, Arkitekturë, programi Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Gjuhë dhe Letërsi Gjermane si dhe programi Menaxhment. Ndërsa, ka pasur programe për të cilat ka rënë dukshëm interesimi.
“Një numër i vogël programesh, që sivjet kanë pasur interes më të ulët nga ana e maturantëve, janë programet: Prodhim Shtazor (FBV), Hidroteknikë (FIN), Inxhinieri e Ambientit (FIN), Fizikë (FSHMN), Letërsi Shqipe (Filologji), Dizajn Inxhinierik dhe Automjete (FIM)”, thuhet në përgjigjen e rektoratit.
Ndërkohë, të rinjtë që kanë konkurruar në arsimin e lartë, janë të interesuar që programi i tyre i studimit, t’iu mundësojë punësimin edhe në tregun ndërkombëtar.
“Unë kam konkurruar në Mjekësi. Arsyeja pse e kam zgjedhur këtë drejtim është se gjithmonë më ka pëlqyer dhe mendoj të vazhdoj studimet në vendet e tjera të Evropës, për shkak të kushteve, programeve dhe mundësive të punësimit më të mira”, tha kandidatja Viola.
Edhe Stina ka vendosur të studioj në Mjekësi. “Meqenëse jam e prirur të ndihmoj njerëzit kam vendosur për Mjekësi. Me këtë drejtim që e kam zgjedhur mendoj se do të punoj në Gjermani”, tha ajo.
“Unë kam zgjedhur drejtimin e Marketingut. Mendoj se me këtë drejtim i kam dyert e hapura për të punuar jashtë vendit, por edhe online nga shtëpia”, ka theksuar kandidatja tjetër Renea.
Në anën tjetër Rrezoni, një aplikues tjetër në UP, ka konkurruar në Shkencat kompjuterike dhe inxhinierike. “…kjo pasi ky drejtim na jep më shumë mundësi për punësim edhe në tregun ndërkombëtar.”
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, tha për Radio Kosovën se programet që deri tani kanë qenë më të kërkuara, nuk përkojnë më me kërkesat e tregut.
“Programet e studimit që nuk i shërbejnë studentëve, por iu shërbejnë institucioneve, duhet të ndryshojnë. Domosdoshmërish, studentët tanë duhet të ofrohen me të dhëna të sakta dhe një orientim të mirëfilltë në karrierë, ku dëshmohet se cili profil, e cili profesion gjeneron punësim të menjëhershëm dhe një karrierë të mirëfilltë. Pra, është përgjegjësi e institucioneve që të garantojnë këtë orientim të vazhdueshëm për zhvillimin e ekonomisë”, ka thënë Qehaja.
Në afatin e parë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj në nivelin baçelor, për këtë vit akademik në Universitetin e Prishtinës kanë konkurruar rreth 6 mijë kandidatë, ndërsa janë pranuar rreth 4 mijë studentë të rregullt në 14 fakultete.
/Shqip.com