Qalaj: “Me hajna nuk ka shtet”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka kërkuar sqarime nga pozita lidhur me importin dhe eksportin e energjisë elektrike gjatë fazës emergjente.
Në kuadër të kësaj ai ka thënë se pozita duhet ta mbështes hetimin e kërkuar nga opozita, për të dëshmuar që në këtë mes “nuk ka hajna”.
Për këtë, ai ka përdorur frazën e partisë në pushtet të përdorur gjatë qëndrimi në opozitë, “me hajna nuk ka shtet”.
“E kundërshtuat iniciativën me 6 deputetë pa asnjë arsye të vetme. Arsyeja e vetme që u përdorë nga Kusari-Lila është që PDK-ja ka konstatuar në kërkesë dhe nuk ka thënë që janë dyshime, kjo është hajgare, kjo ka qenë arsyeja e vetme. Dhe kjo ka ndodh para disa seancave. Dhe njëherë po ua përdori frazën tuaj “me hajna nuk ka shtet”. Ju keni thënë, prandaj dëshmoni që nuk ka hajna”, u shpreh Qalaj gjatë fjalës së tij drejtuar deputetëve.
Gjatë fjalës së tij në pjesën e dytë të seancës për krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për energjinë, Qalaj tha se janë të gatshëm ta votojnë edhe komisionin e propozuar nga LVV-ja.
“Ne prapë po u themi do t’jua votojmë çka do që kërkoni 20 vjeçare, mirëpo ju duhet ta votoni këtë iniciativë të PDK-së, mbështetur nga partitë e tjera. Mos mendoni se do të heshtim, nuk e kemi në ndërmend të tërhiqemi, derisa kjo të bëhet”.
Në Kuvendin e Kosovës po vazhdojnë përplasjet pozitë-opozitë për komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike.
Pozita ka propozuar që të ketë komision hetimor parlamentar për energjinë për priudhën 2006-2022. Ndërsa, opozita ka kërkuar komisionn hetimor që nga shpallja e gjendjes emergjente e energjisë 29 dhjetor 2021 deri në prill 2022./Shqip.com