Pupovci : U sulmova nga prindi i një studenti

Profesoresha në Fakultetin e Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, ka deklaruar se sot është sulmuar nga prindi i një studenti që ishte i pakënaqur me notën e një provimi.
Ajo ka thënë se ndërhyrja e prindit është krejtësisht e papranueshme, duke shtuar se studenti i pakënaqur ka mënyra të tjera akademike që të ankohet për notën.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
“Po më vjen shumë keq për shqetësimin që ka mund të ju sjell lajmi që veç qenka nëpër portale rreth sulmit që më ka ndodhur. Ka qenë një sulm krejtësisht i papritur dhe i paprovokuar, i shkaktuar nga motive të pakuptueshme për mua. Studenti i pakënaqur me notën e provimit ka mënyra të tjera akademike për të kërkuar drejtësinë, ndërsa ndërhyrja e prindit është krejtësisht e papranueshme” ka shkruar Pupovci.
Latifi-Pupovci deklaron se personi që e sulmoi është specialisti i gjinekologjisë dr. Arsim Gashi për të cilin thotë se pret që ta marrë dënimin e merituar./Shqip.com