Lajme

Punëtorët shëndetësorë të hënën protestojnë para qeverisë për Projektligjin e Pagave

Foto e ilustruar

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njofton se të hënën e 8 nëntorit, do të protestojë para Qeverisë së Kosovës.

Qëllimi i protestës është “sensibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësorë”.

Përmes kësaj proteste, nga FSSHK-ja thonë se kërkojnë rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022.

“Kërkojmë nga qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike, por kërkesë e cila ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e statusit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësorë në veçanti”, thuhet në komunikatën për media.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës po ashtu kërkon që qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik.

Protesta do të mbahet me fillim prej orës 10:00./SHQIP.com