Punëtorët shëndetësorë nesër sërish në grevë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, njofton se të enjten do të vazhdojë grevën, për shkak të, siç thonë, mos marrjes së një përgjigje nga ana e Qeverisë për kërkesat e tyre.
Sipas njoftimit, greva do të mbahet tetë orë në institucionet shëndetësore.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se edhe për kundrejt pritjeve tona që të takohemi me institucionet shtetërore, kjo e fundit nuk ka reflektuar. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës si pasojë e mos përgjigjes nga ana e Qeverisë është e obliguar që nesër me datë 02.12.2021 e Enjte të mbajë Grevë 8(tetë) orëshe pranë institucioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

FSShK shton se “Këshilli Qendror Grevist siguron se të gjitha shërbimet emergjente do të jepen konform Ligjit mbi Greva, dhe në këtë rast kërkojmë mirëkuptim nga ana e populates”.
Kërkesat e tyre janë rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022.
Ndryshe, grevë për Ligjin e Pagave ka paralajmëruar se do të mbajë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës së Kosovës./SHQIP.com