Lajme

Punëtorët e KEK-ut: Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, hyjmë në grevë

Protesta e punëtorëve të KEK-ut

Sindikata e re e KEK-ut ka protestuar para ndërtesës së këtij institucioni në Prishtinë, duke kërkuar rrogën e 13-të, sigurimimi shëndetësor të bëhet për afat njëvjeçar, e jo për çdo tre muaj sikurse është tani, zbatimi i marrëveshjes kolektive, sektoriale, sigurimi i pajisjeve personale mbrojtjes për punëtorë si dhe mjetet higjienike.

Nënkryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, gjatë protestës tha se drejtori menaxhues i KEK-ut, Gazmend Agusholli, nuk ka shprehur gatitshmëri të bisedojë për kërkesat e tyre, shkruan Shqip.com..

Më tej ai shtoi se në protestë janë për shkak të “injorancës së drejtorit menaxhues”.

“Ju e dini se sot jemi në protestë për shkak të injorancës së drejtorit menaxhues. Duhet t’i tregojmë se përfaqësuesi sindikal nuk kërkon takim për me u taku me të, por kërkon takim me i sqaru kërkesat e punëtorëve. Ne kemi kërku takim të cilin e ka caktuar të mbahet pas tre muajve”, tha Llumnica.

Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës të Re të KEK-ut

Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit të sindikatave të pavarura, Atdhe Hykolli protestueve iu premtoi mbështetje. Ndër tjerash, ai shtoi se “punëtorët e KEK-ut janë drita e Kosovës”.

“Të dashur punëtorë të KEK-ut, jam këtu që t’i mbështes kërkesat e drejta të juaja për një punë më të dinjitetshme. Punëtorët e KEK-ut janë drita e Kosovës, pa juve Kosova është në terr. Me ndihmën tuaj ne ecim përpara. Dialogu social është duke munguar që nga niveli i poshtëm e deri tek niveli i lartë. Kërkoj nga menaxhmenti i KEK-ut që sa më parë të ulet me sindikaten e Re të KEK dhe të diskutojnë për të drejtat e punëtorëve. Ne nuk kërkojmë as më shumë as më pak sesa të drejtat elementare që ne ta bëjmë një jetë sa më dinjitoze”.

Bashkim Hykolli kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura

Në fund të protestës u paralajmërua edhe grevë në rast se nuk plotësohen kërkesat e punëtorëve të KEK-ut./Shqip.com