Protestuesit serbë në Veri: Kurti ka shkatërruar gjithçka

Në Mitrovicën e Veriut ka filluar protesta e serbëve.
Ata janë duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Rreth 500 serbë janë grumbulluar në këtë qytet dhe ata janë duke ecur në bulevardin kryesor të qytetit. Pankartat e tyre përmbajnë shkrime kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të cilin e kanë cilësuar si destruktivë.
“Kurti ka shkatërruar marrëveshjen e Brukselit. Ai ka shkatërruar gjithçka” është shkruar në njërën nga pankartat të cilat mbajnë në duar protestuesit.
Ndërkaq në pankartat e tjera është shkruar “Kërkojmë Drejtësi”
Kryeministri kosovar nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë me arsyetim se ndërmjet dy shteteve nuk ka marrëveshje. Serbia ka refuzuar të dërgojë një kërkesë Qeverisë së Kosovës ku kërkojnë lejimin e organizimit të zgjedhjeve. /Shqip.com